Informacion mbi krijimin dhe zhvillimin e Strukturës të Policisë Bashkiake, misionin e saj dhe detyrat që kryen bazuar në ligjet dhe aktet nënligjore.
Policia Bashkiake ka tashmë një përvojë pune mbi 22 vjeçare e cila ka rezultuar e sukseshme, por njëkohësisht është përballur me shumë probleme, të cilave përgjithësisht u është dhënë zgjidhje sipas normave ligjore ku mbështetet gjithë veprimtaria e saj.
Misioni dhe përgjegjësitë e Policisë Bashkiake përcaktohen në nenin 2 të ligjit nr 89/2022 “Për Policisë të Bashkiake”, ku shprehet qartë se:
“Policia Bashkiake ka si mision ushtrimin e funksioneve në shërbim të sigurisë, qetësisë dhe rendit në komunitet, mbarëvajtjes së punëve publike, miradministrimit të hapësirave publike dhe mbrojtjes së mjedisit në territorin e juridiksionit të saj”.
Detyrat e Policisë Bashkiake përcaktohen qartë në nenin 9 të këtij ligji, përfshihen edhe drejtimet e punës dhe veprimtarisë së kësaj policie. Realizimi i këtyre detyrave bazohet në këtë ligj por edhe në ligje dhe akte të tjera nënligjore që lidhen me të gjithë aktivitetin që realizojnë organet e qeverisjes vendore.
Policia Bashkiake:
-
Është strukturë administrative e Bashkisë ;
-
Organizohet në strukturë organizative hierakike në nivel drejtorie ose sektori;
-
Shërbimi i Policisë Bashkiake si strukture organizative, ekzekutive pranë Bashkisë, punën e saj e kryen në bazë të ligjit nr 89/2022 “Për Policisë të Bashkiake”;
-
Siguron zbatimin e akteve të nxjerra nga Kryetari i Bashkisë dhe Këshilli Bashkiak;
-
Parandalon, konstaton dhe shqyrton kundërvajtjet administrative përmes forcimit, inspektimit dhe monitorimit në zbatim të akteve të njësive të vetëqeverisjes vendore brenda territorit të juridiksionit të saj;
-
Merr masa të sigurisë për zbatimin e planit të emergjencës së bashkisë për parandalimin e fatkeqësive të ndryshme natyrore, si dhe bashkëpunon me strukturat e mbrojtjes civile pranë bashkisë dhe prefektit të qarkut për kapërcimin e tyre;
-
Kontrollon zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor në territorin e juridiksionit të saj, sipas parashikimeve në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit që lidhen me Policinë e Shtetit;
-
Bashkëpunon me Policinë e Shtetit për mbikëqyrjen e sigurisë brenda territorit të juridiksionit të saj;
-
Bashkërendon masat me Policinë e Shtetit për ruajtjen e rendit e të qetësisë publike në raste të aktiviteteve në territorin e juridiksionit të bashkisë;
-
Merr masa për ruajtjen e objekteve në pronësi të bashkisë, si dhe të atyre që administrohen nga ana e saj;
-
Vëren dhe konstaton ndërtimet e kundërligjshme, njofton dhe mbështet menjëherë strukturën përgjegjëse ndërtimore e urbanistike të bashkisë për vazhdimin e mëtejshëm të procedurave ligjore;
-
Mbështet strukturat përgjegjëse të taksave dhe tarifave vendore në veprimtarinë e tyre;
-
Në përmbushjen e detyrave të saj Policia Bashkiake bashkërëndon punën edhe me Drejtori e zyra të tjera të aparatit të Bashkisë, sidomos me DPTTV-në, IMT-në, AMK-në, shërbimet publike, juridike, etj;
-
Siguron zbatimin e rregullave për përdorimin e hapësirës publike, për ndalimin e zënies së hapësirave publike, hedhjen e mbeturinave dhe mbrojtjen e monumenteve, ndërtesave, parqeve dhe lulishteve publike;
-
Punon me plan mujor dhe vjetor i cili miratohet nga Kryetari i Bashkisë;
-
Mban uniformën e vet dhe stemën e Bashkisë;
-
Kryen edhe detyra të tjera operative që ia ngarkon Kryetari i Bashkisë.
Akte ligjore
-
Ligji nr 89/2022 “”Për Policinë Bashkiake”
-
Ligji “ 139/2015 Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore ”,
-
Kodi Rrugor të Republikës së Shqipërisë miratuar me Ligjin Nr. 8378 datë 22.07.1998, i ndryshuar
-
Akte të tjera ligjore si Vendime të Këshillit të Ministrave, Vendime të Këshillit Bashkiak dhe Urdhëra të Kryetarit të Bashkisë.
Veprimtaria e Policisë Bashkiake
Policia Bashkiake ka filluar veprimtarinë e saj në 19 Shtator të vitit 2001 me një efektiv prej 30 punonjësish, me këtë stukturë:
1 Kryeinspektor,
5 Inspektorë,
24 Policë.
Në bazë të kërkesave në rritje për shërbime ndaj komunitetit, marrjes së detyrave nga decentralizimi i kompetencave drejt pushtetit vendor, solli si domosdoshmëri shtimin e numrit të kësaj strukture ndër vite.
Me Vendime të Këshillit të Ministrave dhe të Këshillit Bashkiak në vite është rritur numri i punonjësve të Policisë Bashkiake me përbërje si më poshtë:
Numri total është 600 punonjës:
1 Drejtori i Përgjithshëm
4 Drejtorë Drejtorie
11 Përgjegjës Sektori
39 Inspektorë
535 Polic/Trup shërbimi
Policia Bashkiake për mbarëvajtjen e punës dhe përmbushjen e objektivave operon në 4 drejtori :
- Drejtoria e Kontrollit të Territorit parandalon, konstaton dhe shqyrton kundërvajtjet administrative përmes forcimit, inspektimit dhe monitorimit në zbatim të akteve të njësive të vetëqeverisjes vendore brenda territorit të juridiksionit të saj, në fushën e rendit dhe sigurisë në komunitet, fushën e bashkëjetesës shoqërore, mbrojtjes së mjedisit, fushën e veprimtarisë ekonomike dhe tregtare, fushën e mbrojtjes së shëndetit, si dhe fushën e ruajtjes së hapësirës publike.
- Drejtoria e Qarkullimit Rrugor kontrollon zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor në territorin e juridiksionit të saj, sipas parashikimeve në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit që lidhen me Policinë e Shtetit, vendos rregullin në trafik dhe ndëshkon me masa administrative ndaj kundërvajtësve.
- Drejtoria e Sigurisë Objekteve dhe Ceremonialit, merr masa për ruajtjen e objekteve në pronësi të bashkisë, si dhe të atyre që administrohen nga ana e saj, si dhe kryen shërbimin ceremonial të bashkisë.
- Drejtoria e Shërbimeve Mbështetëse, Drejtimit dhe Koordinimit, siguron mallra, shërbime dhe investime duke krijuar kushte optimale për pune për punonjesit e policisë bashkiake, duke përmiresuar cilësine e tyre, konform standarteve më të mira, duke përsosur monitorimin e funksionimit të sistemeve të kontrollit të brendshëm, logjistikës dhe transportit, si dhe ndjek dhe evidenton me rigorozitet situatën në terren, në të gjithë juridiksionin territorial të Bashkise Tiranë dhe mbi bazën e vlerësimeve që bën, analizon e përpunon paraprakisht të dhënat e informacionet e marra nga shërbimet dhe jep detyra orientuese për shërbimet në terren.