Rreth Nesh

Informacion mbi krijimin dhe zhvillimin e Strukturës të Policisë Bashkiake, misionin e saj dhe detyrat që kryen bazuar në ligjet dhe aktet nënligjore.

Policia Bashkiake ka tashmë një përvojë pune mbi 17 vjeçare e cila ka rezultuar e sukseshme, por njëkohësisht është përballur me shumë probleme, të cilave përgjithësisht u është dhënë zgjidhje sipas normave ligjore ku mbështetet gjithë veprimtaria e saj.

Misioni dhe përgjegjësitë e Policisë Bashkiake përcaktohen në nenin 1 të ligjit nr 8224 datë 15. 05. 1997 “ Për organizimin dhe funksionimin e Policisë të Bashkisë dhe Komunës”, ku shprehet qartë se:

Policia Bashkiake dhe e Komunës është organ ekzekutiv që ka për detyrë të kryejë funksione në shërbim të rendit, qetësisë dhe mbarëvajtjes së punëve publike brenda territorit të bashkisë apo komunës, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe që nuk janë në kompetencë të autoriteteve të tjera shtetërore”.

Detyrat e Policisë Bashkiake përcaktohen qartë në nenin 8 të këtij ligji, përfshihen edhe drejtimet e punës dhe veprimtarisë së kësaj policie. Realizimi i këtyre detyrave bazohet në këtë ligj por edhe në ligje dhe akte të tjera nënligjore që lidhen me të gjithë aktivitetin që realizojnë organet e qeverisjes vendore.

Policia Bashkiake:

  • Është organ  ekzekutiv i përfshirë në strukturën  e aparatit  të  Bashkisë  dhe  në  varësi të Kryetarit të Bashkisë;

  • Vepron si strukturë më vete dhe drejtohet nga Kryeinspektori i Policisë Bashkiake;

  • Shërbimi i Policisë Bashkiake si  strukture  organizative, ekzekutive pranë Bashkisë,  punën e saj  e  kryen  në  bazë  të  ligjit  8224 dt.15.07.1997, Për organizimin dhe funksionimin e Policisë të Bashkisë dhe Komunës”, i ndryshuar,  si  edhe  në  rregulloren  Tip të Policisë Bashkiake;

  • Nuk  është  pjesë  përbërëse  e  forcave  të  armatosura  të Republikës së Shqipersië, por  gëzon  mbrojtje  ligjore  njëlloj  me  punonjësit  e  Policisë së Shtetit;

  • Punon për sigurimin  e  zbatimit  efektiv të  akteve  të  nxjerra  nga  Kryetari i  Bashkisë,  si  edhe  nga  Këshilli  Bashkiak, të  cilat  kanë  të  bëjnë  me sigurimin  e  rendit  dhe  të  qetësisë,  si  edhe  mbarëvajtjen e punëve  publike;

  • Siguron zbatimin e urdhërave të nxjerra nga Kryetari, që kanë të bëjnë me persona juridikë e fizikë, të cilët nuk plotësojnë detyrimet ligjore, fiskale, apo çdo detyrim tjetër pasuror.

  • Merr masat e duhura duke bashkëpunuar me strukturat përkatëse të Bashkisë dhe ato jashtë saj për të garantuar mbrojtjen e ambientit nga ndotjet;

  • Informon Kryetarin e Bashkisë për rastet e epidemive;

  • Konstaton dhe shmangë ndërtimet pa leje, zënien e trojeve në mënyrë të paligjshme, të ndërtesave e subjekteve publike të Bashkisë;

  • Merr masa për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike duke shmangur zëniet, zhurmat, përdorimin e altoparlanteve, borive, si edhe veprime të tjera që u shkaktojnë shqetësime qytetarëve;

  • Merr masa për ruajtjen dhe sigurimin e rendit kur ka grumbullime publike  si në treg , në raste ceremonish publike , artistike , fetare , sportive etj;

  • Kërkon respektimin e dispozitave ligjore të cilat rregullojnë veprimtarinë e shitblerjes në mjedise publike si edhe respektimin e orarit  të shërbimit të njësive tregëtare;

  • Aktivizohet dhe ndihmon në parandalimin  dhe evitimin e fatkeqësive të ndryshme;

  • Në përmbushjen e detyrave të saj Policia Bashkiake bashkërëndon punën edhe me Drejtori e zyra të tjera të aparatit të Bashkisë, sidomos me DPTTV-në, IMT-në, AMK-në, shërbimet publike, juridike, etj;

  • Bashkëpunim të veçantë Policia Bashkiake do të ketë edhe me Policinë e Shtetit për të gjitha problemet;

  • Punon me plan mujor dhe vjetor i cili miratohet nga Kryetari i Bashkisë;

  • Mban uniformën e vet dhe stemën e Bashkisë;

  • Kryen edhe detyra të tjera operative që ia ngarkon Kryetari i Bashkisë.

Akte ligjore

  • Ligji nr 8224 datë 15. 05. 1997 “ Për organizimin dhe funksionimin e Policisë të Bashkisë dhe Komunës”

  • Rregullorja “ TIP “ e Policisë të Bashkisë e Komunës.

  • Ligji “ 139/2015 Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore ”,

  • Kodi Rrugor të Republikës së Shqipërisë miratuar me Ligjin Nr. 8378 datë 22.07.1998, i ndryshuar

  • Akte të tjera nënligjore si dhe Vendime të Këshillit të Ministrave, Vendime të Këshillit Bashkiak dhe Urdhëra të Kryetarit të Bashkisë.

Veprimtaria e Policisë Bashkiake

Policia Bashkiake ka filluar veprimtarinë e saj në 19 Shtator të vitit 2001 me një efektiv prej 30 punonjësish, me këtë stukturë:

1 Kryeinspektor,

5 Inspektorë,

24 Policë.

Në bazë të kërkesave në rritje për shërbime ndaj komunitetit, marrjes së detyrave nga decentralizimi i kompetencave drejt pushtetit vendor, solli si domosdoshmëri shtimin e numrit të kësaj strukture ndër vite.

Me Vendime të Këshillit të Ministrave dhe të Këshillit Bashkiak në vite është rritur numri i punonjësve të Policisë Bashkiake me përbërje si më poshtë:

 Numri total është 500 punonjës:
1 Kryeinspektori
58 Inspektorë
441 Policë

Policia Bashkiake për mbarëvajtjen e punës dhe përmbushjen e objektivave operon në 5 sektorë:
  1. Sektori i Kontroll Territorit ka në organikë
  • Kontrollin dhe lirimin e hapësirave publike të zaptuara, parandalimin e ndotjes së mjedisit dhe ndërtimeve pa leje, mbështetjen e Drejtorive të Bashkisë, për realizimin e projekteve të Bashkisë Tiranë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë në aktivitetet kulturore, sportive, ceremonitë përkujtimore të organizuara nga ose me lejen Bashkisë si dhe ndjekjen në kohë, duke u dhënë zgjidhje ligjore, kërkesave e ankesave që vijnë nga komuniteti, apo institucionet e ndryshme, pranë Policisë Bashkiake, në mënyrë shkresore, telefonata, në rrugë elektronike
  1. Sektori i Qarkullimit Rrugor
  • Konstatimin dhe ndëshkimin e kundërvajtësve, në fushën e Qarkullimit Rrugor objekt i punës së Policisë Bashkiake parashikuar në nenin 12, pika 1, germa C e Ligjit nr. 8378 datë 22.07.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar, thuhet: c) policisë së bashkisë, në bashkitë me popullsi më të madhe se 20000 banorë, për territorin në juridiksion, vetëm për shkeljet që kanë të bëjnë me parkimet, të kryera në rrugët që janë në administrim/prone të bashkisë, të parashikuara në nenin 7, me përjashtim të pikës 12 të tij, nenin 11 pika 1 shkronjat “a” dhe “e”, nenin 85, 86, 87, 89, 155 pika 6, 156 pika 1 shkronjat “g” dhe “h”, pika 2 shkronjat “d”, “e”, “g”, “h”, “i”, “j”, “k” dhe “l”.
  1. Sektori i Sigurise se Objekteve dhe Ceremonialit
  • Ruajtjen dhe sigurimin e objekteve të Bashkisë, atyre që administrohen prej saj,  ceremonialet që organizohen nga Bashkia, si dhe zbatimin me korrektësi e përgjegjësi, të gjitha detyrave, urdhrave të marra nga strukturat eprore.
  1. Sektori i Koordinimit dhe Drejtimit
  • Gjatë 24 orëve, ndjek zbatimin e rregullave për marrjen, përpunimin, e transmetimin në kohë dhe me korrektësi të informacionit që merr nga qytetarët, institucionet e tjera, shërbimet e Policisë Bashkiake, për shkeljet e konstatuara, apo situata emergjence.
  • Përgjigjet për drejtimin, koordinimin dhe monitorimin e të gjithë shërbimeve policore në juridiksionin tokësor të strukturës policore të Bashkisë Tiranë, bashkëpunon me shërbimet e tjera policore, me DVP, Komisariatet e Policisë, Prefekturën për përgatitjen dhe zbatimin e programeve e planeve për situatat emergjente në juridiksionin e tyre.
  1. Sektori i Shërbimeve Mbështetëse
  • Furnizimin me bazë materialeve e logjistike të punonjësve të Policisë Bashkiake, trajnimin, marrëdhëniet me publikun si dhe dhënie konsulence juridike.