Në ndjekje të ankesave dhe shqetësimeve të përditshme që vijnë nga qytetarët, shërbimet e Policisë Bashkiake kryejnë vazhdimisht inspektime për shitblerjen në mjediset publike të qytetit, parqe, rrugë, trotuare, apo hapësira të përbashkëta. Tregtimi pa lejen përkatëse të Bashkisë Tiranë, që bëhet në rrugë dhe trotuarë, është jo higjienik dhe shumë i rrezikshëm për shëndetin e qytetarëve.

Ditën e sotme, është publikuar një video, ku një punonjës i Policisë Bashkiake është filmuar, duke u sjellë në mënyrë jo korrekte me një qytetare. Kryeinspektori i Policisë Bashkiake, e ka pezulluar nga detyra punonjësin në fjalë, deri në sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Në Bashkinë e Tiranës funksionojnë mbi 20 tregje publike e private, për tregtimin e fruta-perimeve dhe artikujve të tjerë, të cilat janë me standarde dhe kushte shumë të mira për tregtim. Policia Bashkiake fton të gjithë tregtarët, që të shfrytezojnë tregjet e Bashkisë së Tiranës, për të kryer aktivitetin e tyre, te mirëkuptojnë shërbimet e Policisë Bashkiake dhe të mos tregëtojnë pa kushte higjenike në rrugë, duke zënë pa leje hapësirat publike, apo hyrjet e pallateve.

Gjithashtu u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën të punonjësve të Policisë Bashkiake në numrin e telefonit 042419465, si dhe në adresën e email-it policiabashkiake@tirana.al.