Drejtori i Përgjithshëm

Ermal KAPLLANAJ, është Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Bashkiake, Bashkia Tiranë. Ai lindi në Tiranë, më 29 Qershor 1976. Është i martuar dhe baba i 3 djemve.

Pas përfundimit të Shkollës së Mesme të Përgjithshme “Petro Nini Luarasi”, në Tiranë, në vitin 1996, ai ndoqi studimet e larta, në Akademinë e Policisë në Tiranë, (me shkëputje nga puna), ku në përfundim të studimeve, u  rendit si studenti më i dalluar, në të gjitha fushat, për brezin akademik 1997-2000, si dhe u titullua Specialist i Lartë Policie.

Në vitet 2005-2008, ka kryer studimet Bachelor dhe është titulluar Jurist, ndërsa në vitin 2018, ka përfunduar studimet në ciklin e dytë, në Universitetin Mesdhetar të Tiranës, duke u diplomuar si “Master i Shkencave, në Shkencat Politike”. Ka njohuri të mira në gjuhën angleze dhe italiane.

Formimi i tij akademik, është zhvilluar edhe gjatë karrierës, duke kryer nje sërë trainimesh, si brënda vendit në Akademinë e Policisë, (të organizuara nga ICITAP, PAMECA, OSBE etj.), si dhe jashtë vendit, duke kryer kursin 8-Javor, në Akademinë Ndërkombëtare të Zbatimit te Ligjit (ILEA), të FBI-së, në vitin 2007, në Budapest Hungari, kurse trajnimi 1-mujor, në vitin 2002 dhe 2006 në Egjipt etj.

Karriera e tij profesionale, ka nisur si Inspektor i Policise Kriminale, në Komisariatin e Policisë Nr.3, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në vitin 2000 dhe ka vazhduar pa shkëputje, deri në shtator të vitit 2015, duke kryer detyra të ndryshme, kryesisht në strukturat e Luftës Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda. Kulmi në karrierën policore, ka qënë detyra e Zëvendës Drejtorit për Krimet, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vitin 2013. Është larguar nga strukturat e Policisë së Shtetit, me gradën Kryekomisar, me kërkesën e tij, për t’u emeruar në detyrën e Kryeinspektorit te Policisë Bashkiake, Bashkia Tiranë, në shtator të vitit 2015, detyrë të cilën e mban edhe sot.

Nën drejtimin e tij, Policia Bashkiake e Tiranës, ka bërë një ndryshim rrënjësor, në mentalitet dhe në veprim, duke vendosur rregull në qytet, si dhe duke krijuar dhe implementuar, përvojat më të mira të policive bashkiake, të vendeve më të përparuara europiane.